Publikime

Home > Publikime > Për publikun

Një partneritet për fitore: ABI Bank bëhet sponsor i ekipit të futbollit Skënderbeu

Banka mbështet talentin, edukimin përmes sportit dhe traditën e futbollit korçar.

ABI Bank njofton nisjen e bashkëpunimit me Klubin e Futbollit Skënderbeu, duke u bërë sponsor zyrtar i ekipit korçar për sezonin e ri futbollistik 2026-2027.

Skënderbeu është një nga emrat me traditë dhe identitet të spikatur në futbollin shqiptar, i lidhur ngushtë me qytetin e Korçës dhe me një komunitet të gjerë tifozësh. Bashkëpunimi me ABI Bank synon të mbështesë ambiciet sportive të klubit, forcimin e kapaciteteve të ekipit dhe krijimin e më shumë mundësive për evidentimin e talenteve të reja.

Duke folur për këtë partneritet, Igli Sulaj, Drejtor i Përgjithshëm i Biznesit në ABI Bank, u shpreh:

“Mbështetja e sportit është një investim në forcimin e frymës së komunitetit, në energjinë, talentin dhe të ardhmen e të rinjve. Ekipet premtuese kanë nevojë për partnerë që besojnë te potenciali i tyre.Skënderbeu përfaqëson traditë, pasion dhe një lidhje të fortë me komunitetin. Për ABI Bank, ky bashkëpunim shkon përtej sponsorizimit të një ekipi futbolli: ai është pjesë e angazhimit tonë për edukimin përmes sportit dhe për promovimin e vlerave pozitive”.

Përfaqësuesi i Klubit të Futbollit Skënderbeu, z. Gerhard Takaj, deklaroi:

“Jemi të kënaqur që në këtë sezon kemi përsëri në krah një partner të rëndësishëm si ABI Bank. Besimi dhe mbështetja e Bankës na japin më shumë forcë që hap pas hapi sëbashku të punojmë që KF Skenderbeu të jetë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar dhe ndërkombëtar. Besojmë se së bashku do t’u dhurojmë tifozëve dhe qytetit të Korçës një sezon plot emocione dhe suksese”.

Sezoni 2026–2027 i kampionatit sportiv, nis më 21 gusht, me përballjen Vllaznia–Skënderbeu, duke e vendosur ekipin korçar në qendër të emocionit që në ndeshjen hapëse.

Ky partneritet shpreh angazhimin e ABI Bank për të mbështetur sportin shqiptar, ekipet me potencial dhe iniciativat që krijojnë modele pozitive. Përmes kësaj mbështetje, Banka synon të kontribuojë në zhvillimin e futbollit dhe në promovimin e vlerave që sporti përcjell: punën në skuadër, disiplinën, respektin dhe këmbënguljen.

X