Publikime
Home > Publikime > Për publikun
Banka Amerikane e Investimeve mbështet viktimat e trafikimit
Banka Amerikane e Investimeve ka mbështetur gratë e vajzat viktima të trafikimit dhe fëmijët e tyre. Ndihma këtë herë është bërë e mundur përmes organizatës “Të Ndryshëm & Të Barabartë” duke ndërhyrë në përmirësimin e kushteve të Strehëzës së Ri-integrimit për viktimat e trafikimit dhe Qendrat e Përkujdesjes Ditore të fëmijëve të viktimave në Tiranë dhe Shkodër.
Projekti mundësoi rehabilitimin e këtyre qendrave me ambiente më komode e funksionale, duke bërë të mundur zëvendësimin e mobiljeve dhe pajisjeve të amortizuara ndër vite.
Deri më sot, kjo organizatë ka asistuar 765 raste viktimash trafikimi, së bashku me fëmijët e tyre.
“Përmirësimi i infrastrukturës në ambientet e akomodimit për viktimat e trafikimit mundëson kushte më të favorshme për realizimin e aktiviteteve si dhe kontribuon në rritjen e mirëqënies së tyre. Përtej shërbimeve gjithëpërfshirëse të ofruara nga organizata jonë, angazhimi i Bankës Amerikane të Investimeve është një shembull i mirë biznesi i cili mbart vlerat e një institucioni të përgjegjshëm në raport me shoqërinë dhe grupet e margjinalizuara,” shprehet znj. Marjana Meshi, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Të Ndryshëm & Të Barabartë”.
Anisa Sheldija, përfaqësuese e sektorit të Përgjegjësisë Sociale të ABI Bank u shpreh: “Mbështetja ndaj këtij projekti, është vijim i përqasjes së përgjegjshme, që Banka Amerikane e Investimeve është angazhuar të ketë në raport me shoqërinë dhe mbështetjen e kauzave që tërheqin vëmendjen ndaj grupeve të margjinalizuara.”
Vitin e kaluar, Banka Amerikane e Investimeve, ishte mbështetëse kryesore për Strehëzën për Gra dhe Vajza në Tiranë. Projekti synoi përmirësimin e mjediseve fizike të Strehëzës si një mënyrë për të garantuar një cilësi shërbimi më të mirë dhe kushte më të mira jetese.
Duke besuar në barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta, si një nga shtyllat mbështetëse edhe në aktivitetin e saj si biznes, Banka Amerikane e Investimeve do të vijojë edhe në të ardhmen të jetë në krah të projekteve sociale që kanë këtë fokus.